Federata Shqiptare e Futbollit është gati që të rikthejë skuadrat për të luajtur. Institucioni i futbollit në vend, në bazë edhe të sugjerimeve nga UEFA, po bën gati çdo skenar të mundshëm për verdiket e kampionatit, duke marrë në konsideratë që gjithçka do të vendoset në fushë.

Këtë e sqaron për “Panorama Sport”, shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi. “Një ide është që futbolli të nisë të luhet në fund të muajit maj dhe të përfundojmë në fund të korrikut. Në çdo situatë, ne jemi të gatshëm për të startuar edhe më herët, por gjithçka në bazë të vendimeve nga instancat”, tregon Nurishmi.

UEFA – Funksionari i institucionit të futbollit në vend tregon edhe indikacionet nga UEFA. “Nga sugjerimet që vijnë prej UEFA-s për federatat, duhet që verdiktet të dalin nga fusha. Pra, që kampionatet kombëtare në çdo federatë të luhen në fushë, edhe pse nuk ka një vendim final mbi këtë çështje.

Në dijeninë time janë dy grupe pune të ngritura nga UEFA dhe po shikojnë të gjitha opsionet e mundshme. Në këtë moment që flasim, nuk kemi një konfirmim zyrtar. Sapo të vijë në FSHF një informacion i tillë më i detajuar, ne do t’i përshtatemi. Ne kemi gati variantet për datat e reja që mund të propozohen”, vijon ai.

EKIPET – Nurishmi u referohet edhe deklaratave të botuara në “Panorama Sport” nga aktorët e futbollit shqiptar për gatishmërinë e klubeve për të rinisur. “Nëse autoritetet shëndetësore na japin dakordësinë, në kontaktet që kam pasur dhe në intervistat që kam lexuar në gazetën tuaj, ekipet janë të gatshme që të rifillojnë stërvitjet menjëherë”, deklaron funksionari i FSHF-së.

PAGA – Nurishmi ka shpjeguar edhe ndihmën e FSHF-së për ekipet e Superiores: “Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, sipas premtimit të presidentit Duka, miratoi një fond prej 400 milionë lekësh (të vjetër) për t’u ardhur në ndihmë lojtarëve dhe stafeve teknike. Procesi i shpërndarjes ka ditë që ka nisur dhe një pjesë e mirë është ndarë”, ka deklaruar Lysien Nurishmi.