Të gjithë janë gati për të luajtur. Jeta dhe shëndeti i plotë janë parësorë, por i rregulluar me masa korrekte, futbolli mund të rikthehet në fushë për të përfunduar sezonin aktual. Sigurisht, i shtrënguar nga datat e rifillimit të kompeticioneve edhe për edicionin e vitit tjetër.

E teksa bëhet ky diskutim i përbotshëm, katër maji shihet si data përbashkuese në të cilën skuadrat mund të nisin zbatimin e planit të rreptë të masave për të rifilluar stërvitjet. Edhe në Shqipëri, skuadrat do të ishin të gatshme për ta nisur zbatimin e këtij plani dhe për të rifilluar me përgatitjet.

Të paktën në aspektin fizik në fushë, duke i ndarë lojtarët në grupe me pak pjesëtarë, duke kërkuar ruajtjen e distancave fizike, por më së paku të kenë mundësi të rifitojnë formën fizike në fushë. Gjithsesi, gjithçka do të vendoset nga instancat shtetërore, vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekspertëve që do të saktësojnë gjithçka për kohën se kur do të hapet edhe aktiviteti sportiv.

PËRFUNDIMI I KAMPIONATEVE

Sot, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të ketë një mbledhje në të cilën pritet që të vendosen edhe datat e përfundimit të kompeticioneve. Mirëpo, gjatë ditës së djeshme, është zhvilluar një mbledhje e bordit të institucionit europian të futbollit, për të cilën mediat e mëdha në botë kanë zbuluar edhe planin e përgjithshëm se çfarë pritet të ndodhë.

Referuar edhe njoftimeve nga media prestigjioze nga “Gazzetta dello Sport” deri te “Daily Mail”, institucioni europian i futbollit pritet që të vendosë datën 3 gusht, të fundit në të cilën duhet që secila federatë të dorëzojë listën e ekipeve që shkojnë në Europë.

Pra, secili kampionat duhet t’i përfundojë ndeshjet e kampionatit dhe të kupave përkatëse para datës 3 gusht. Referuar të njëjtave burime informacioni, një nga instruksionet e UEFA-s është që në të gjitha federatat, kampionati të luhet në fushë dhe të vendoset në bazë të verdikteve të dala prej saj.