Tirana u ka dhënë fund përgatitjeve për sfidën me Partizanin. Trajneri Orges Shehi ka vendosur 11 lojtarët që do të jenë në fushë.

Tirana pritet të aktivizojë të njëjtët lojtarë që ishin titullarë në takimin me Teutën dhe Laçin. Kështu, në portë luan Bekaj.

Në mbrojtje Toshevski, Hoxhallari, Najdovski dhe Përgjoni.

Në mesfushë dyshja Limaj e Toli së bashku me Totren. Në sulm triada e rëndë me De Silvën, Seferin dhe Xhixhën.

Ismaljegeci do ta nisë nga stoli i rezervave. Majkëll Ngo nuk është gati për të luajtur dhe ende nuk ka nisur stërvitjen me Tiranën apo të ketë hequr patericat.

Nga ana tjetër, rrezikojnë sërish Behiratçe, Totre, Hoti dhe Toshevski për punë kartonësh. Nëse ata ndëshkohen, mungojnë në sfidën me Vllazninë që luhet një javë pas derbit.

Trajneri Orges Shehi ka kërkuar nga ekipi përqendrim. Në analizën që ka bërë skuadra, Shehi ka kërkuar përqendrim dhe qetësi në sfidën që luhet të shtunë.

“Dua përqendrim dhe të mos nxitohemi”, është shprehur Shehi para skuadrës bardheblu. Tirana vjen në këtë ndeshje pas dy fitoreve në derbi dhe kjo është arma më e fortë e bardhebluve.