Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizani do jetë sfida që do hapë javën e 24-të të Superligës. Një prej sfidave më të rëndësishme dhe historike të futbollit tonë do mbahet sot në “Air Albania” në orën 19:45. Një duel që edhe kësaj rradhe patjetër garanton për një spektakël dhe rivalitet mes dy kundërshtarëve të përjetshëm.

Kjo sfidë si shumë nga ato të futbollit tonë ndër vite ka parë si protagonistë edhe futbollistët shkodranë. Si tek Tirana edhe tek Partizani ka pasur lojtarë nga Shkodra që kanë qenë protagonistë me golat e tyre në derbin e kryeqytetit. Tek bardheblutë kanë shkëlqyer në vite shumë shkodranë.

Nga ata që do mbahen mend për golat e tyre kundër Partizanit janë futbollistë të paharrueshëm si: Miloti, Sinani apo edhe Salihi. Ku bomberat shkodranë i jepnin fitore rekordmenëve të futbollit tonë në përballjet kundër Partizanit. Po ashtu në vitet e fundit edhe futbollistë si Balaj apo Hasani kanë shënuar në portën e Partizanit.

Në krahun e kuq të kryeqytetit po ashtu në vite kanë qenë protagonistë futbollistët shkodranë. Sukaj apo Çinari u shndërruan në makthin e Tiranes kur luanin në rradhët e Partizanit duke shënuar në vazhdimësi kundër bardhebluve.

Gjithashtu edhe Hebaj shënonte në derbi kundër Tiranës. Kësaj rradhe në asnjërin nga ekipet nuk ka futbollistë shkodranë dhe duket se sfidës i mungon një copëz e historisë së pasur.

Endri ÇINARI