Ada e Velipojës, pjesë e grupit A të Kategorisë së Dytë, rregjistroi pasditen e së shtunës një fitore të rëndësishme duke mundur në shtëpi Murlanin. Kanë qenë golat e shënuar nga Mikel Keshtejaku dhe Brilant Hasaj, që i dhanë këtë fitore velipojakëve.

Me këtë fitore, por edhe me paraqitjet pozitive në ndeshjet e mëparshme duket se këtë pjesë të dytë të sezonit do të kemi një Adë krejt tjetër nga ajo e fazës së kaluar, e cila rrezikoi shumë. Këtë gjë e pohon edhe sulmuesi Brilant Hasaj, teksa në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai foli edhe rreth ndeshjes së sotme ndaj Murlanit.

“Sot ndaj Murlanit ishte shumë ndeshje e vështirë dhe luftuam të dyja ekipet fort, edhe pse ato ishin të penalizuar me karton të kuq. Arbitrimi aspak nuk ndikoi. Ishim ne më të fortë në fushën e blertë dhe e meritum fitoren, nuk vodhëm gjë.

Pas disa dëmtimeve që pata vitin e kaluar, po mundohem të kthehem në formën time të mëparshme. Si pjesë e ekipit të Adës ndihem shumë mirë”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Hasaj flet edhe për objektivin që ka Ada në fund të sezonit, teksa ka edhe një dedikim të veçantë për golin e shënuar sot.

“Patjetër që ndeshjen e rradhës ndaj Shënkollit e shoh me fitore. Do japim maksimumin. Objektivi ynë si skuadër do të jetë qëndrimi në Kategorinë e Dytë. Golin ia dedikoj tifozërisë së Adës në veçanti portierit tonë, Ndoj, që na ndihmon shumë në çdo ndeshje”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Adës, Brilant Hasaj.

Maringlen ZHIVANI