Elseid Hysaj ka shënuar golin e tij të parë me Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi kuqezi, në takimin e tij të 50-të me fanellën e përfaqësueses ia doli që të realizojë përballë Islandës, në një ndeshje të fituar me dominim dhe duke treguar fytyrën e vërtetë pas disfatës ndaj kampionëve të botës.
Me lënien në stol të kapitenit Mërgim Mavraj, mbrojtësi i Napolit u fut në fushë me fashën e kapitenit, e cila siç edhe ai deklaroi gjatë konferencës zyrtare, i sjell fat.
Por, mbrojtësi shqiptar ishte i përzgjedhuri rastësor në fund të takimit për të kryer testin antidoping nga UEFA. Në momentin që ai nisi turin e deklaratave për mediat, u thërrit për të kryer edhe kontrollet në fund të sfidës, që janë një traditë e zakonshme në ndeshjet zyrtare.