Florent Hasani ishte lojtari që solli avantazhin e parë te Tirana. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Tiranës u shpreh i lumtur për golin që shënoi, ndërsa konsideroi të veçantë trofeun e fituar, por që nuk duhet të jetë i pari për bardheblutë.

“Ky trofe ka qenë synimi im dhe i yni si skuadër. Donim që ta fillonim mbarë me këtë trofe. Tani synimi ynë është që të vazhdojmë më tej me trofetë e tjerë që na presin”, tha në fillim Hasani. Sulmuesi kosovar pranoi se ishte gol goxha i rëndë për një rinisje të kampionatit.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit si fillim. Me golin që shënova, sepse ishte goxha i rëndë dhe me trofeun e parë të fituar”, pohoi ai. Në fund anësori i djathtë tha se trofeu i parë u fitua, ndërkohë që fokusi duhet të jetë te titulli kampion dhe kampionati kombëtar.

“Ndeshja tjetër vjen shumë shpejt. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje. Duhet të fokusohemi në kampionat. Kemi punë për të bërë. Jemi në vendin e parë dhe duhet ta mbajmë kreun.

Duhet të marrim ndeshjet një nga një dhe arrijmë rezultate pozitive në çdo takim, duke nisur nga sfida me Kastriotin”, mbylli Florent Hasani.

Sulmuesi luante për herë të parë në Superkupën e Shqipërisë dhe ia doli të shënonte golin e 5-të mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë.