Vllaznia e futbollit të femrave do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e radhës në grupet e Champions-it, teksa në orën 18:45 do të presë PSG-në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kjo është ndeshja e katërt në Grupin A për vajzat kuqeblu, të cilat regjistrojnë 3 humbje në takimet e mëparshme.

Dy javë më parë shkodranet mundeshin 5-0 në Paris, ndërsa tani do të kërkojnë një paraqitje më pozitive.

Këtë e deklaroi edhe trajneri Nikolin Leka në konferencën e djeshme për shtyp.

“Do të kërkojmë që vajzat të mundohen për të bërë sa më pak gabime. Kundërshtarin e njohim dhe e dimë shumë mirë që është ekip i fortë, por shpresojmë që vajzat të luajnë si në 40 minutat e pjesës së parë dhe të marrim një rezultat më të mirë.

Nëse i eliminojmë ato gabime që bëmë në 5 minuta e fundit të pjesës së parë në Paris, shpresojmë se do të kemi një tjetër rezultat”, u shpreh fillimisht trajneri shkodran, i cili më tej shtoi:

“Shpresojmë që të gjejmë edhe golin e parë, pasi edhe në Paris patëm përmirësim në raport me dy ndeshjet e para. Treguam që dimë të luajmë futboll dhe se këto vajza kanë vlera”, tha Leka.

KAPITENIA – Ndërkohë, Esmeralda Franja gjatë konferencës ndër të tjera deklaroi:

“PSG-në e njohim mjaft mirë dhe besoj se nuk do t’i përsërisim gabimet e ndeshjes së parë.

Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe të tregojmë vlerat tona.

E kemi analizuar ndeshjen e parë dhe kemi nxjerrë ku kemi gabuar apo ku kemi bërë mirë.

Ne synojmë të japim maksimumin, të shënojmë ndonjë gol dhe pse jo të marrim edhe barazimin që do të ishte historik.

Këto janë ndeshje për të fituar eksperiencë, në mënyrë që vitet e tjera të jemi akoma më të fortë.

Shpresoj që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve, pasi janë një motivim shtesë për ne”, u shpreh kapitenia kuqeblu.