Alan Kalbergue Le ite Rodriges. Ky është emri i plotë i brazilianit që shkëlqeu në debutimin me Erzenin të shtunën kundër Vllaznisë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Mesfushori 24- vjeçar është hera e parë që luan jashtë Brazilit dhe për më tepër kontakti i tij fillestar me Europën ishte pikërisht Shqipëria. Por si erdhi Alan në Shijak dhe e nisi me një gol të shkëlqyer.

Braziliani foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ndërsa kërkoi mirëkuptim, pasi përveç gjuhës së nënës, nuk ka njohuri për gjuhë të tjera, edhe pse po mundohet të mësojë anglishten. Mesfushori i Erzenit është i kënaqur deri më tani me kushtet në Shqipëri, ndërsa shpreson të vazhdojë me performancë të mirë, njësoj siç bëri në ndeshjen e parë.


Alan, e prisnit të debutonit me gol në Kategorinë Superiore?

Kam punuar shumë që kur kam ardhur tek Erzeni. Edhe debutimi me gol është shpërblimi i asaj që kam bërë në stërvitje. Sigurisht kjo nisje më lumturon, pasi jo vetëm shënova, por edhe skuadra arriti fitoren.

A janë goditjet nga distanca specialiteti juaj?

Po, sigurisht. Kjo është një dhunti që kam dhe bëj shumë goditje në distanca të gjata dhe të mesme. E tentoj portën dhe ashtu siç bëra këtë ndeshje, edhe në Brazil disa herë ia kam dalë të shënoj.

Kush ju solli në Shqipëri, cili ishte kontakti juaj i parë?

Menaxheri im quhet Thiago Santos. Ai bashkëpunoi me Ledion, i cili është një agjent tjetër nga Shqipëria. Këta më sollën tek Erzeni. Nuk u mendova gjatë dhe pranova menjëherë ofertën.


Sa e njihni futbollin shqiptar?

Unë ende nuk kam pasur mundësi të njoh Shqipërinë, edhe për shkak të vështirësisë së gjuhës. Të jemi të sinqertë, nuk flas asnjë gjuhë tjetër, përveç portugalishtes. Megjithatë, tani që kam ardhur në Shqipëri, kam nisur të studioj anglisht.


Çfarë përshtypjeje ju la ambienti në stadium në ndeshjen tuaj të parë?

Atmosfera ishte e mirë dhe ne e shijuam. Tifozët të vazhdojnë të besojnë te ne dhe të na mbështesin, pasi do të bëjmë gjithmonë më të mirën për të nderuar veten dhe për t’i parë ata të lumtur.