Real Madridi padyshim që ka festuar suksesin në “El Clasico” përballë Barcelonës. Por paralelisht me suksesin, u hap edhe një çështje e cila pritet të turbullojë jo pak ambientin te “los blancos”.

Largimi duke turfulluar nga fusha e lojës i Vinicius pas zëvendësimit, me fyerje dhe kërcënime se do i jepte lamtumirën klubit pas vendimit të Çabi Alonsos, është ktheyr në temë diskutimi po aq sa vetë rezultati i ndeshjes apo sherri masiv që shpërtheu pas saj.

Por në mediat spanjolle bëjnë të qartë se te Real Madrid për momentin kanë arkivuar çështjen. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, në klub sigurojnë se Çabi Alonso dhe Vinicius kanë shtrënguar duart në dhomat e zhveshjes gjatë festës pas sfidës. Dhe ndryshe nga sa mund të mendohej, klubi nuk ka ndër mend të marrë masa dispilinore ndaj futbollistit pas atij shpërthimi publik që padyshim ndikon në imazhin e klubit.

Nga ana tjetër, madrilenët kanë vendosur të mbështetin çdo lloj vendimi të Çabi Alonsos dhe nuk do të ndërhyjë, cilado qoftë situata që krijohet mes tij dhe ndonjë lojtari. Me pak fjalë, është ai që duhet të menaxhojë egot që ka brenda grupit të skuadrës dhe do të jetë pikërisht në dorën e ish-mesfushorit të gjejë një zgjidhje për çështjen e Vinicius.