Naftëtarit nuk i del inati me humbjen e fundit me Maliqin. Një ndeshje e vendosur nga një 11-metërsh në shtesë.

Kuçovarët jo vetëm që pretendojnë se faull nuk kishte, por ankohen për kartonët e marrë. Mesfushori Ardian Gega, i cili ka edhe rolin e zv.trajnerit, “shfryn” hapur ndaj gjykimit.

“Nuk është vetëm rasti i penalltisë që vendosi këtë ndeshje ‘të paravendosur’, në atë 105-minutësh ndeshje.

Naftëtari mori 10 kartonë të verdhë vetëm nga kontestimet e çdo vendimi absurd të një kamikazi. Këto arbitrime të lodhin.

U bënë 5 ndeshje me të njëjtin gjykim, kjo për shkak se paragjykohemi. Naftëtari e ka ‘play off’-in dhe nuk i nevojiten pikët. Ne luajmë për një qytet të tërë. Le të flasë fusha për ekipin më të mirë, jo individi që paguhet për të vendosur drejtësi”, tha Gega për gazetën.