Zlatan Ibrahimoviç i ka dhënë fund të gjitha dyshimeve për të ardhmen e tij dhe ka hedhur firmën në zgjatjen e kontratës me kuqezinjtë. Një akord i cili pritej prej kohësh, por që ka ardhur vetëm sot, me Milanin që është në garë të plotë për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm.

Sulmuesi suedez ka firmosur sot pasdite marrëveshjen nga e cila do të përfitojë 7,5 milionë euro në vit, të cilave do u shtohen bonuse të rëndësishme në varësi të arritjeve personal edhe asaj të skuadrës në arenën kombëtare e ndërkombëtare.

“Milani komunikon se ka rinovuar kontratën e Zlatan Ibrahimoviç. Milani është skuadra italiane me të cilën Zlatan ka koleksionuar numrin më të madhe të ndeshjeve, dhe pas 84 golave të realizuara në 130 ndeshjet e luajtura në karrierën e tij milaniste, kampioni suedez do të veshë fanellën kuqezi edhe për sezonin e ardhshëm”, shkruante Milani.

Ndërkohë, Ibra postoi në rrjetet sociale foton pas firmës me drejtuesit e Milanit dhe vetëm duke shkruar “Saga vazhdon”, për të njoftuar tifozët e tij se kishte përfunduar gjithçka dhe se kjo histori e tij me klubin do të vazhdonte. /vipsport/