Partizani dhe Vllaznia do të përballen pasditën e sotme në orën 16:00 në stadiumin e të kuqve. Kjo sfidë është mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat, me vendasit që vijojnë pretendimet për titullin kampion. Ndërkohë që, shkodranët kanë si synim për të bërë realitet objektivin e futjes në zonën e Kupave të Europës.
Së fundmi, burime të “Shkodra Sport” nga kampi kuqeblu bëjnë të ditur se presidenti Alban Xhaferi ka akorduar një super-premio për futbollistët e tij në rast fitoreje ndaj Partizanit. Për këtë ndeshje thuhet se shuma e premios pritet të jetë 30-mijë euro në rast fitoreje ndaj Partizanit. Ndërkohë, në rast barazimi, futbollistët do të shpërblehen me 20-mijë euro.
Shumat në fjalë i janë bërë të ditura skuadrës vetëm ditën e sotme, në mënyrë që ata të zbresin në fushën e lojës edhe më të karikuar. Në fakt, edhe për fitoren e fundit ndaj Teutës, presidenti Xhaferi vendosi një premio prej 10-mijë eurosh për ekipin kuqeblu.
Të njëjtën gjë, presidenti Xhaferi e ka bërë edhe ditën e sotme, pikërisht gjatë takimit me stafin teknik dhe futbollistët, teksa u ka bërë të ditur edhe shumat e premios në rast të një fitoreje ose në rast të një barazimi. Ky vendim natyrisht që ndikon akoma më shumë në karikimin e skuadrës së Vllaznisë për të realizuar fitoren ndaj Partizanit.
Maringlen ZHIVANI