Barcelona njihet tashmë si një nga klubet më të pasura dhe absolutisht si klubi që ka dominuar futbollin Europian dhe atë spanjoll në vitet e fundit. Yjet e shumtë të dalë nga akademia apo edhe futbollistët e blerë nga klube të tjera për shira faraonike, natyrisht që duan edhe një pagë të majme.

Kjo ka bërë që Barcelona të jetë klubi me pagat më të larta në histori. Këtu, nuk bëhet fjalë vetëm për ekipe futbolli, por për ekipe të çdo sporti dhe katalanasit qëndrojnë në krye. Mesatarja e pagave vjetore te Barcelona, arrin afërsisht 10.5 milionë paund për futbollist, shifër kjo që e mban klubin “Blaugrana” në vendin e parë.

E në fakt, me këtë statistikë nuk janë marrë portale apo gazeta, por vetë “Anketa Globale e Pagave Sportive” e cila në një raport të publikuar ditët e fundit, rendit Barcelonën të parën dhe Real Madridin të dytin. Paga në klubin madrilen, kap vlerën e 8 milionë paundëve për futbollist.

Sa i përket sporteve të tjera, është kampionati i amerikan i basketbollit, “NBA” që ka një pagë vjetore 5.9 milionë paundë. Këtu, bëhet fjalë vetëm për futbollistët apo sportistët që janë pjesë e skuadrës së parë dhe jo akademi ose lojtarë stoli. /VipSport/