Për herë të parë në histori, kampionati nuk do të quhet më “Kategoria Superiore”, por me marrëveshjen e fundit do të quhet “Abissnet Superiore”, për 3 vitet e ardhshme. Presidenti i Apolonisë, i cili njëkohësisht është edhe president i “Abissnet”, në emisionin “Skaner” në MCN TV, ka treguar se tani do të ketë një futboll të pastër në Shqipëri, duke thënë se nuk do të ketë trukime, apo edhe gjera të tjera. Gjithashtu më tej ai tha, se në rast se “Abissnet” do të rrisë të ardhurat, do bëjë një ofertë më të lartë për kampionatin shqiptar.

Sipas Kokëdhimës, nga kjo marrëveshje fiton futbolli shqiptar, ndonëse e pranon se kompania në fjalë është futur këtu për të fituar dhe jo për të humbur.

“I dimë shumë mirë problemet, që kanë pasur kampionatet në Shqipëri. Mund të deklarohem se tani kampionati Superiore, për mua është më i besueshëm dhe i pastër. Ky kampionat tashmë ka evoluar, përmes një vështirësie. Kemi një nivel shumë të lartë ndërgjegjësimi.

Ne kemi shumë interes të marrim përgjigje nga tregu. Unë jam shumë i interesuar dhe kemi besim të plotë, që ky kampionat të ketë besueshmëri të plotë. Ka shumë skuadra, që i kanë parë frytet e futbollit elitar të Shqipërisë. Kanë parë frytet e pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Futbolli është një çështje e rëndësishme ekonomike, atje ka interesa të rëndësishme.

Mendoj se çdo ditë dhe më shumë aktorët ndërgjegjësohen, që të mos i japin më shumë gojës. Ju them se ky bashkëpunim, ka dy aspekte. Klubet e Abissnet Superiore, po provojnë të përdorin interesa të reja. Një nga kërkesat tona ka qenë që klubet të mos bëjnë marketing të rremë. Shqipëria është duke evoluar. Padyshim që mund të ketë kontestime, por ato mund të zgjidhen në tryeza.

Besueshmëri dhe pastërti? Gjëja e parë është që, loja të jetë e pastër, në kuptimin që të mos ketë trukime. Masat e sigurisë të jenë të tillë, që të ndihen të sigurt, edhe kundërshtarët të jenë të sigurt. Rezultatet të mos vendosen para ndeshjeve.

Do kisha shumë dëshirë, që nëse Abissnet do të bëjë më shumë të ardhura, do ta rrisë më shumë ofertën për kampionatin.

Jo vetëm mendojmë që e meriton këtë vlerë ky kampionat, por ndikon fakti që unë jam brenda këtyre historive. Unë e besoj që nëse klubet do të punojnë së bashku, kanë shumë rezerva, që të krijojnë futbollin të madh si biznes. Klubet përfitojnë nga 5.4 milionë, secili. Në këto 4 vite, vlera e këtij produkti do të rritet. Ky është përfitimi neto, i Ligës, por për këtë projekt në futboll do të shpenzohen akoma më tepër.

I pari që ka fituar nga kjo marrëveshje, është futbolli shqiptar. Nuk është shitur kurrë në të kaluarën. Abissnet ka hyrë për të fituar para, jo për të humbur.”, u shpreh Kokëdhima.