Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku skuadra e tij barazoi me Teutën. Sipas tij, çdo prekje me dorë në zonë, është faull. Në lidhje me ndeshjen, Ahmataj deklaroi se skuadra e tij duhet ta menaxhonte ndeshjen më mirë dhe rastet për të shënuar më shumë i kishte.

“Nuk jam marrë kurrë me arbitrat. Nuk dua të flas për golin e dytë, ata që e panë, dyshojnë. Mendoj që çdo prekje me dorë në sulm, është faull. Këtë di nga rregullorja të paktën. Nuk merrem me këtë.

Ishte një ndeshje që duhet të fitonim, i kishim rastet për golin e tretë dhe të katërt. Duhet të ishim më vigjilentë, nuk duhet të ishim aq poshtë. Kundërshtari do kërkonte rezultat me çdo kusht. Duhet ta menaxhonim më mirë ndeshjen.

Normale që çdo skuadre i duhen lojtarë në merkato dhe ka nevojë për përforcime. Na mungonte sot Najdovski, që na bën punë për lojën në ajër. Ishim të detyruar për të marrë lojtarë nga akademia.

Mendoj që ndeshja duhej menaxhuar më mirë, sepse kundërshtari do hidhej me të gjitha forcat në fund. U ndëshkuam në dy momente. E gjithë ndeshja foli për ne. Tirana luajti shumë bukur, pavarësisht mungesave.Tirana duhet të përmirësohet, sepse ka potencial edhe në mbrojtje”- eshte shprehur Ahmataj.