Një futbollist shkodran që po bëhet protagonist thuajse çdo javë në Itali është Kevin Haveri. 21-vjeçari që prej 3 sezonesh është pjesë e Riminit në Apenine. Performancat e tij kanë ardhur në rritje nga sezoni në sezon dhe kjo u konfirmua edhe në ndeshjen e fundit të fituar nga skuadra bardhekuqe.

Bregdetarët u përballën me Cesenan në kuadër të kupës së Itali, duke e fituar ndeshjen me rezultatin 2-1. Në golin e dytë të shënuar nga Santini, ishte një inkursion i marrë nga Haveri në krahun e majtë. Ku shkodrani dhuroi asistin për sulmuesin italian, duke vulosur kështu një performancë të shkëlqyer.

Madje ai është vlerësuar shumë edhe nga media italiane për ndeshjen e bërë kundër Cesenas. Haveri është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë tek Rimini dhe pavarësisht se në një moshë të re, ai ka treguar shumë vlera me performancat e tij.

Në verë u diskutua edhe një kalim i tij tek Torino në Serie A, por në fund lëvizja nuk u finalizua. Megjithatë sërish Haveri është në orbitën e elitës së futbollit italian dhe me siguri që do e shohim në një skuadër më të fortë në të ardhmen.
Endri ÇINARI