Merr dritë përfundimisht çështja e Bekim Rexhepit dhe dy klubeve, Shkëndijës e Skënderbeut. Pa dyshim, aktivizimi në testet miqësore të luajtura nga ekipi tetovar sollën edhe zhurmën e parë për një transferim të mundshëm të dështuar mes palëve, por situata qëndron shumë më ndryshe nga se duket.

Bekim Rexhepi është nën kontratë me Shkëndijën dhe ka filluar prej kohësh përgatitjet për ndeshjet që ekipi shqiptar i Maqedonisë së Veriut do të luajë në Euopë.

Fakti që portieri i parë i ekipit të drejtuar nga Ernest Gjoka është i dëmtuar, atëherë drejtuesit e klubit tetovar kanë vendosur që të mbajnë për garanci të paktën deri në përfundim të Kupave të Europës portierin e talentuar. Gjithçka duket se është bërë në marrëveshje mes dy klubeve.

Burime të ndryshme bënë me dije se presidenti Takaj ka qenë në Ohër në ndeshjen miqësore të luajtur mes Shkëndijës dhe Shkupit.

Atje ka darkuar me drejtuesit e lartë të klubit tetovar ku në qendër të bisedimeve kanë qenë pikërisht Rexhepi dhe Sadriu.

Të dy lojtarët është e sigurt që do të jenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet vetëm për t’u parë nëse formula do të jetë sërish huazim apo një e drejtë blerjeje e plotë kartonit të tyre.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga vetë lojtarët në fjalë. Rexhepi nga ana e tij tregon se është folur dhe vijon të flitet për një kalim të tijin sërish në Korçë minimalisht për huazim, gjë që do të ndodhë menjëherë pas mbylljes së eliminatoreve europiane.

Vetë lojtari është i qartë se pas mbylljes së ndeshjeve kualifikuese të Champions League-s, gardiani do të jetë sërish pjesë e Skënderbeut, ndërsa nuk është ende e qartë nëse do të jetë në huazim apo lojtar i Skënderbeut me të drejta të plota.

Një situatë e tillë është e qartë edhe për drejtuesit e klubit bardhekuq që janë të qetë për sa i përket portës dhe qendrës së mbrojtjes.