19 vjeçari shkodran Bajram Muça, prej disa kohësh ka “braktisur” Vllazninë dhe është sistemuar në Gjermani. Aty ku ka firmosur një kontratë njëvjeçare me ekipin e Papenburgut dhe që në garat e para të zhvilluara me të, ka arritur të jetë i suksesshëm. Ky sportist, është një nga elementet më të perspektivës së atletikës shqiptare vitet e fundit duke arritur të shpallet edhe kampion në garën e 110 metrave me pengesa por tashmë ka vendosur që fatin e tij ta kërkojë në një vend tjetër. Madje, ka filluar të spikasë që në garat e para të zhvilluara duke u shpallur kampion në garat e 20 vjeçarëve të zhvilluar për Rajonin e Nidersachsen duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në kampionati kombëtar që do të zhvillohet në muajin gusht në Berlin. Vetë Muça duke folur për telesport.al, ndjehet shumë i kënaqur me hapat e parë që ka hedhur në atletikën gjermane. “Unë prej disa muajsh ndodhem në Gjermani, ku kam firmosur një kontratë njëvjeçare me ekipin e Papenburgut, i cili bën pjesë në ligën profesionistë të këtij vendi. Papenburgu ka qenë një nga ekipet më të mira të Gjermanisë vite më parë ndërkohë që sërish ka në rradhët e tij atletë shumë të mirë. Po marr përvojën e duhur me këtë ekip dhe besoj se hapat e karrierës time do të vijnë gjithnjë në rritje”- ka thënë ai. Kampion në garat lokale por cili është objektivi i Bajram Muçës në garat e ardhshme? Përgjigja e tij është e menjëhershme kur deklaron: “Natyrisht që për momentin objektivi im nuk është dalja menjëherë kampion i Gjermanisë sepse në garën ku unë konkurroj ka sportistë shumë të mirë. Objektivi im do jetë që në kampionatin e muajit gusht, të përmirësoj rekordin tim personale që kam edhe me Vllazninë dhe kjo do të tregoj se jam në rrugën e duhur për të arritur të tjera objektiva edhe më të rëndësishme. Mosha ime është e re dhe dëshiroj që të bind drejtuesit e ekipit gjerman për ta rinovuar kontratën sërish”. Atletika shkodrane në këtë mënyrë vazhdon të na dhurojë elementë cilësorë, të cilët tashmë jo vetëm po dominojnë brenda vendit por edhe në arenën ndërkombëtare.
Gjergj KOLA