Te Juventusi kanë qenë gjithmonë të qetë, fundja ishin të bindur për investimin e bërë. I paguar mbase shumë (75 milionë euro pa komisione), por me një potencial të jashtëzakonshëm për moshën që ka. Kështu, qoftë për bindje, qoftë për të mbrojtur paratë e shpenzuara, te Juvja e kanë mbrojtur gjithmonë Matajs De Ligtin.

20-vjeçari vuajti jo pak në fillimet e aventurës së tij bardhezi, por tashmë duket se e ka kryer rrugëtimin e rritjes, duke u kthyer në një realitet brenda ekipit. Në ndeshjet e fundit (kundër Atalantës dhe Atletikos) ka luajtur si lider, si futbollist vendimtar e sidomos pa kryer asnjë nga mëkatet rinore. Me pak fjalë, De Ligti i vërtetë, ai që bënte ligjin me Ajaksin në Europë, ka nisur të duket, edhe pse tashmë ka një fanellë tjetër.

BONUÇI E SHTYN

Holandezi ndihet mirë në Torino dhe situata në skuadër e ndihmon. Në 100 ditët e tij të para si juventin e ka ndihmuar shumë edhe partnerja, Anike Molenar, e cila studion tri orë italisht çdo ditë, kundrejt 90 minutave të mbrojtësit, që edhe kohën mbi libra e lidh me minutazhin futbollistik.

Mësuesja ka veç fjalë të mira për studentin e saj shembullor, i cili së shpejti do të shpalosë edhe një italishte të rrjedhshme. Nëse jashtë fushe e ndihmon Anike, brenda saj është Leo Bonuçi. Për më skeptikët, 20-vjeçari ngjasonte taktikisht me kapitenin, por ka qenë ky i fundit që e ka “rritur” në mungesë të Xhorxho Kielinit.

Fati i De Ligtit qëndron edhe në faktin se ky është sezoni më i mirë i Bonuçit në Torino, por edhe në rezultatet e Juves, e cila nuk njeh humbje, edhe pse ka luajtur 18 ndeshje zyrtare.

NË RRITJE

Gabime bën gjithkush, aq më tepër kur është në moshë të re. Kjo i ka ndodhur edhe De Ligtit, por vështirësitë e tij janë mbuluar nga shokët e repartit, si Bonuçi, dhe ata të sulmit. Higuain, Dibala dhe Ronaldo kanë qenë gjithnjë të gatshëm që me golat e tyre të nxjerrin në plan të dytë vështirësitë e kolegut të ri holandez, i cili është ndër themelet e një prej mbrojtjeve më të mira të Serisë A. Revolucioni i Sarrit po merr jetë pas çdo ndeshjeje, teksa mbrojtësi i ri holandez tregon se 75 milionë eurot, fundja, nuk ishin një investim i tepruar.