Bledi Shkëmbi iu ka mbijetuar disa zhgënjimeve të forta, sikurse janë humbjet e thella ndaj Vllaznisë dhe Laçit. Nesër e pret një sprovë tjetër e vështirë, ndaj kampionëve të vendit në fuqi. Prej orës 16:45, në “Elbasan Arena” do të luhet Dinamo-Teuta, e vlefshme për javën e 12-të të Superiores.
Trajneri i bluve kryeqytetas tha në konferencën për shtyp: “Humbja në Laç? Ishte një rezultat i thellë, mund të quaj një ndeshje të turpshme nga ana jonë. Nuk ishte problemi vetëm në mbrojtje, por tek e gjithë skuadra. Koha e pakët që kemi pasur në dispozicion për ndeshjen e nesërme na ka bërë të merremi me anën psikologjike. Kam kërkuar nga skuadra të marrë përgjegjësi. Jam i bindur se nesër do të shihni një Dinamo me fytyrë tjetër.
Më shumë më shqetësojnë humbjet e kampionatit me rezultat të thellë. Teuta vjet doli kampion duke shënuar pak. E rëndësishme është të gjejmë ekuilibrat e skuadrës. Të mos përsëriten më ndeshjet shumë të dobëta.
Ndeshja e radhës? Në fakt koha e përgatitjes ka qenë e pakët. Pas një rezultati të atillë, më mirë që vjen ndeshja me Teutën shpejt për ta kthyer situatën në favor. Në këtë prizëm e kemi parë, ta harrojmë sa më shpejt atë që na ndodhi në Laç, duke bërë mirë nesër.
Mungesat? I kemi vuajtur alternativat në ndeshjet e fundit. Na kthehen Maliqi, Sidibe dhe Gjata. Gjatë lojës do të na ndihmojnë shumë, edhe pse nuk janë në 100 për qind.
Humbja në Laç nuk tregon se nuk kemi burra në skuadër, mund t’i ndodhë çdo skuadre në botë. Edhe ajo me Tiranën ishte ndeshje jo e mirë. Këtu tregohet mungesa e karakterit. Kemi lojtarë të mirë dhe të fortë. Skuadër e fortë është ajo që di të ngrihet pas disfatës. Dy ndeshje radhazi të dobëta nuk i kemi bërë, na vlen kjo për nesër. Të fshijmë nga kujtesa ndeshjen e shkuar.
Objektivat? Kemi si synim 3-4 vendet e para, nuk janë larg skuadrat në renditje. Në futboll të gjithë do të kenë ulje dhe ngritje. Na vlen ajo që bëjmë vetë dhe jo kundërshtarit. Teuta? Aty ka qenë pikënisja ime si lojtar dhe trajner. Me Teutën ishim në Europë që sezonin e parë. Ndjesi e veçantë edhe për Arapin.
Nuk e prisja që do të përballeshim kaq shpejt bashkë si trajnerë. Më vjen mirë që shokët e mi te Skënderbeu janë trajnerë ose drejtorë klubesh. E urova Arapin. Tifozët? Është e drejtë të reagojnë. Edhe unë kam kërkuar falje, si edhe lojtarët. Ishte e turpshme ajo që na ndodhi në Laç. Nëse nuk ke rezultate e dimë se do të jesh i sulmuar”.
Edhe kapiteni Agim Ibraimi kërkoi ndjesë, përkrah trajnerit: “Psikologjikisht duhet të ngrihemi. Lojtarët e mëdhenj reagojnë pas këtyre humbjeve. Duhet të marrim parasysh projektin afatgjatë të klubit”.