Dinamo luajti ditën e sotme një ndeshje miqësore ndaj Skenderbeut në Durrës. Takimi u mbyll me fitoren minimale 1-0 për blutë falë golit të shënuar nga Mihana në pjesën e parë.
Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi foli për “Supersport”, duke u shprehur se në vijim do të shikojmë një tjetër Dinamo. Më tej numri një i stolit theksoi se kanë arritur akordin me një lojtar dhe presin që skuadra të kompletohet.
Si duket gjendja e skuadrës, vetëm një javë nga rifillimi i kampionatit?
“Kemi bërë një provë të mirë dhe jemi stërvitur mirë këto ditë, ndonëse kemi ende disa probleme të vogla. Presim të na afrohet edhe ndonjë lojtar tjetër dhe shpresoj që të jetë grupi i plotë sa më shpejt, në mënyrë që të bëjmë një figurë tjetër nga ajo që kemi treguar deri tani”.
Cilët kanë qenë repartet apo pikat ku keni kërkuar me insistim përforcime?
“Nuk ka gjë të fshehtë, pasi ne kërkuam nga një përforcim për çdo repart dhe kemi arritur marrëveshjet deri tani. Presim një lojtar të vijë të firmosë, pasi kemi rënë parimisht dakord, por është e rëndësishme të kemi sa më shpejt grupin e plotë. Kjo do të jetë java kryesore, që do të shohim gjithë grupin si do të jetë”.
Duhet të presim një imazh tjetër të Dinamos në gjysmën e dytë të sezonit?
“Jam i bindur që po. Duhet të kthejmë patjetër imazhin e duhur për Dinamon. Në disa ndeshje kemi bërë shumë keq dhe shumë gabime, ndaj minimumi është të mos përsëritim më ato situata. Jam i bindur që do të bëjmë mire”.
Sa e rëndësishme ishte ndërprerja e kampionatit për Dinamon?
“Mendoj se ka qenë shumë e rëndësishme, sidomos për anën psikologjike, pasi javët kalonin dhe ngërçi vazhdonte. Gjithashtu edhe lojtarët që kishin probleme fizike, e kanë shfrytëzuar për t’u rikuperuar”.
A morët mesazhet e duhura nga skuadra sot?
“Disa po, pasi kishim një formacion miks, me disa lojtarë të rinj, të cilëve shpresojmë t’u japim më shumë minuta gjatë kampionatit. Jam i kënaqur me gjendjen e disa lojtarëve për të cilët kishim pikëpyetje”, u shpreh Shkëmbi.