Volejbolli shkodran i femrave sigurisht që ka shumë të bëjë me cilësinë sportive sepse sapo është krijuar megjithatë në rangun e bashkëpunimit me ekipet e tjera fqinje duket se nuk do jetë mbrapa ekipeve të tjera të klubit Vllaznia, për të mos thënë më përpara tyre. Ndodh kështu, ngaqë Vllaznia në volejboll për femra, është shumë pranë binjakëzimit me ekipin Galep të Tivarit, fituesja e kupës në fuqi e shtetit fqinj ose më mirë të themi, ndër ekipet më të mira të Malit të Zi. Me ndërmjetësimin e Ardian Zaganjorit, ky ekip dje ka qenë në Shkodër pikërisht në kuadrin e bisedimeve për zgjerimin e marëdhënieve dhe bashkëpunimit me shkodranët. Ata janë pritur në Shkodër nga nënkryetari i Bashkisë Ritvan Troshani pikërisht në zyrën e tij mesditën e sotme. Zoti Troshani i ka falenderuar miqtë për mirëseardhjen dhe i ka garantuar ata se në Shkodër do të gjejnë gjithnjë një miqësi të mira. Madje, ai ka deklaruar se në kuadrin e aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë, mund të organizohen aktivitete edhe në volejboll dhe ekipi i Galepit do jetë i ftuar të marr pjesë. “Festat bëhen me miq dhe prandaj ne ju konsiderojmë miq”-u është drejtuar Troshani delegacionit malazez. Në emër të këtij ekipi, kanë përshëndetur sekretari i Federatës malazeze të volejbollit dhe përgjegjësi i ekipit Galep të cilët kanë theksuar një fakt: “Jemi surprizuar nga pritja që na bëtë në Shkodër. Nuk e prisnim kurrsesi një pritje të tillë kaq të ngrohtë”. Pas kësaj pritje në Bashki, ekipi malazez i është drejtuar pallatit të sportit “Qazim Dervishi” ku e ka pritur ekipi i Vllaznisë për një ndeshje miqësore. Ndeshja ka qenë shumë e fortë dhe vajzat e reja shkodrane, ndonëse pa shumë përvojë, kanë arritur të rivalizojnë siç duhet fitueset e kupës së Malit të Zi dhe ndeshja është mbyllur në shifrat 3-2 për ekipin Galep. Megjithatë më shumë sesa rezultati, e rëndësishme ishte nisja e një bashkëpunimi të tillë dhe në ditët e ardhshme, pritet që ekipi shkodran t’i kthejë vizitën në Tivar miqve të tyre.

www.shkodrasport.com


Foto nga takimi i sotem ne zyren e nenkryetarit te Bashkise Shkoder, z.Ritvan Troshani