Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri që prej fillimit të javës, ndërsa stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini po punon për rikthimin gradual të skuadrës në ritmin optimal pas pushimeve. Në kuadër të kësaj faze, kuqeblutë kanë planifikuar edhe një ndeshje miqësore ndaj Deçiq, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme dhe do t’i shërbejë trajnerit Martini për të vlerësuar gjendjen fizike dhe formën e futbollistëve.
Pas këtij testi, vëmendja do të përqendrohet te faza intensive përgatitore jashtë vendit. Më 21 qershor, skuadra shkodrane do të udhëtojë drejt Sllovenisë, ku do të zhvillojë grumbullimin kryesor veror.
Gjatë qëndrimit atje, trajneri Edi Martini dhe stafi i tij synojnë të rrisin ngarkesat fizike, të përmirësojnë aspektin taktik dhe të konsolidojnë grupin në prag të sfidave europiane.
Në Slloveni, Vllaznia pritet të zhvillojë edhe disa ndeshje të tjera miqësore, të cilat do të shërbejnë për të testuar skuadrën para nisjes së aventurës në kompeticionet europiane. Kuqeblutë synojnë të jenë sa më të përgatitur për ndeshjet e para të UEFA Conference League, të planifikuara për në javën e dytë të muajit korrik.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


