Në Maqedoninë e Veriut po luhet java e 21-të e kampionatit. Kampionati që kryesohet nga treshja e ekipeve shqiptare Struga, Shkupi dhe Shkëndija ka hyrë në një fazë interesante. Pikërisht këta të fundit, që janë edhe ndër ekipet më të njohura të trevave shqiptare po fitojnë me rezultatin 2-0 në pjesën e parë.

Për kuqezinjtë protagonistë si zakonisht në këto javë që pas transferimit në Tetovë është Erald Çinari. Shkodrani ka gjetur rrjetën në fraksionin e parë të ndeshjes, ku pas një kthese shumë të bukur brenda zonës ai ka dërguar topin në rrjetë.

Gol ky që ka ardhur në minutën e 30-të të takimit dhe për mëngjërashin ky është goli i tij i dytë me Shkëndijën. Çinari nuk është ndalur me kaq pasi ka gjetur sërish rrjetën në minutën e 45-të duke vendosur shifrat 2-0 e po ashtu dy golëshin e tij personal.

Ish-sulmuesi i Vllaznisë po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Ku në 5 ndeshje ku ai është aktivizuar në kampionat, ai ka shënuar 3 gola e po ashtu ka dhuruar 2 asiste. Duke qenë kështu një nga më të dalluarit për ekipin e drejtuar nga Qatip Osmani.

Erald Çinari kaloi në merkaton e dimrit në rradhët e skuadrës tetovare. Ku më parë qëndroi për 1.5 vite në Turqi në rradhët e Samsunspor. Në vendin tonë ai është aktivizuar edhe me Vllazninë, ekipin ku u formua si futbollist e po ashtu Partizanin, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion të Superiores./SHKODRA-SPORT.COM/