Shkruar nga Gjergj KOLA
Shkodrani Gëzim Dimnaku nuk ka ndër mend të ndalet. Pasi ka arritur me dhjetëra suksese në garat e veteranëve në sportin e atletikës, tashmë po tenton të bëjë të njëjtën gjë edhe në sportin e peshëngritjes. E kemi fjalën për garat e veteranëve ku ai po spikat me performancat e tij.
Ai jeton prej shumë vitesh në Kanada dhe përpos punës së tij si mësues, nuk ka hequr për asnjë moment dorë edhe nga sporti, të cilit i pat kushtuar rininë e tij në Shqipëri duke qenë kampion dhe rekordmen i atletikës.
Pas suksese të shumta në garat e veteranëve të atletikës teksa ka marrë një numër jashtëtakonisht medaljesh në garat e Kanadasë por edhe ato ndërkombëtare duke qenë ndër më të mirët në Botë, tashmë ka nisur t’i përkushtohet sportit të peshëngritjes.
Ditët e fundit është zhvilluar Kupa e Quebec në Kanada për kategorinë Masters +50, event që u zhvillua në Montreal. Dimnaku ka konkurruar në peshën +90 kg dhe ia ka dalë të marrë dy medalje të arta në të dy stilet, atë të shkëputjes dhe të shtytjes dhe njëkohësisht duke thyer edhe rekordin e Quebec në shkëputje me 94 kg.
Gëzimi në një komunikim me Gazeta “Shkodra Sport” duket plotësisht i lumtur për këtë sukses të rradhës, për më tepër që ishte hera e parë kur konkurronte në sportin e peshëngritjes dhe menjëherë doli i pari. Ai është i bindur se sukseset do të vijojnë edhe në të ardhmen sepse ai stërvitet sistematikisht dhe prandaj nuk ka si të ndodhë ndryshe.


