Vioresin Sinani e thotë me bindje se Vllaznia e këtij sezoni ka sulmin më të frikshëm të Superiores. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave (208 gola) në kampionatin shqiptar, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, enkas për sulmuesit e ekipeve që kryesojnë aktualisht renditjen, nuk ngurron të etiketojë treshen e kuqebluve: Aralica-Latifi-Da Silva, si më të bukurën.

“Janë lojtarë që kënaqin syrin e tifozëve”, tregon ndër të tjera ish-bomberi, i cili ka edhe një mendim fiks për klubet që do t’i shkojnë deri në fund luftës për titullin kampion, duke parë si favorite Vllazninë, Tiranën dhe Kukësin. Trajneri aktual i të rinjve shkodranë flet edhe për U-19, si dhe raportin që ka me Tomas Brdariç dhe drejtuesit e klubit.

Viori, janë ezauruar 13 javë kampionat. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje deri më tani?

Më duket një kampionat i fortë. Janë 6-7 skuadra që kërkojnë të luftojnë për kreun, por asnjë prej tyre nuk e ka të sigurt fitoren ndaj askujt këtë sezon, qoftë edhe me ekipin e vendit të fundit. Surpriza ka javë pas jave, pasi fiton me një skuadër që s’ta merr mendja dhe humbet me një tjetër që në letër të duket ndeshje e lehtë.


Cilat ekipe i shikon deri në fund në luftën për titull?

Personalisht shikoj Tiranën, Vllazninë dhe Kukësin, që do të jenë deri në fund si pretendente kryesore për titullin kampion.


Përmendët tri ekipe që janë në vendet e para aktualisht dhe shënojnë më shumë gola, por cilat prej tyre ju bindin për treshet sulmuese që kanë përdorur deri më tani?

Nëse flasim për Tiranën kryesuese dhe Vllazninë, duke i marrë lojtarët një për një të repartit ofensiv, pa diskutim që janë dy treshe shumë të mira për kampionatin shqiptar. Pra, Aralica-Latifi-Da Silva dhe Ngo-Seferi-Xhixha. Kanë shënuar rregullisht dhe për më tepër nuk janë lojtarë me karakteristika tipike të zonës, pasi kthehen dhe marrin topin duke krijuar situata të favorshme. Pra, me pak fjalë janë sulmues që jo vetëm shënojnë, por dinë të asistojnë shumë mirë. E theksoj, më pëlqejnë të dyja treshet për faktin se marrin pjesë në çdo aksion, nuk presin t’u vijë topi te zona e 16 metrave. Janë sulmues të bukur edhe për syrin e tifozëve.


Cila treshe ju bind më shumë?

Pa diskutim ajo e Vllaznisë, pasi Da Silva, Aralica dhe Latifi formojnë treshe fantastike. Janë lojtarë shumë cilësorë dhe që mua më pëlqejnë si kombinohen. Gjithashtu mund të përmend edhe Ardit Hoxhajn dhe maqedonasin Gjurgjeviç, që gjithashtu kanë luajtur si titullarë. Mua më pëlqen më shumë fakti se janë lojtarë që nuk rrinë vetëm në zonë, por marrin pjesë në shumë aksione jashtë 16-metrave.


Me karakteristikat që keni pasur ju, cili prej sulmuesve ju përafrohet më tepër aktualisht në kampionatin shqiptar?

Nëse flasim për sulmuesit e parë, një rol që e kam bërë vetë, natyrisht tashmë te Vllaznia këtë e bën Aralica. Pjesa tjetër e sulmuesve mund të përdoren edhe në mesfushë. Ta them troç, mua më pëlqen shumë Aralica.


Kush mendoni se e godet më mirë portën nga sulmuesit?

Mendoj se Aralica e godet më mirë portën. Bashkë me Ngonë luajnë pak më para, ndërsa Seferi, Xhixha, Latifi dhe Da Silva janë futbollistë që luajnë pak më mbrapa. Për mua kjo gjashtëshe është shumë simpatike për kampionatin tonë.


Cila treshe garanton më shumë gola?

Treshja e Vllaznisë më bind më shumë. Është një treshe mjaft e bukur edhe për sytë e njerëzve që duan të shohin futboll spektakolar dhe sa më shumë gola. Megjithatë, sigurisht që të gjithë do të donin edhe një treshe sulmi si ajo e Tiranës. Nuk jam aq budalla që të them që treshja e sulmit e Tiranës nuk bind. Edhe ata janë të frikshëm.


Ka diçka që në këtë moment i mungon Vllaznisë dhe mund të korrigjohet në vazhdimësi?

U bë kohë që Vllaznia bën një lojë të bukur. Në këtë moment jam i bindur që funksionon mirë si klub, duke filluar nga presidenca dhe stafi i trajnerëve, që kanë kohë që punojnë bashkë dhe nuk janë ndërruar. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi e njohin mirë ekipin. Shikoj një skuadër të konsoliduar, por të kërkosh gjilpërën në kashtë në ekipet tona, natyrisht që mund ta gjesh. Minuse ka në çdo skuadër, por e përgjithshmja e Vllaznisë aktualisht është OK në të gjitha pikëpamjet. Këtë sezon është i etiketuar si një ekip pretendent dhe unë jam i kënaqur që prej një viti e gjysmë skuadra është në nivele të larta. Iu afrua titullit në sezonin e kaluar dhe fitoi Kupën, kështu që është në rrugën e duhur për të bërë diçka madhore këtë kampionat. Me plot gojën e them se në çdo aspekt shikoj një Vllazni të mirë.


Cili është raporti juaj me trajnerin Brdariç?

Jam në kontakt me të gjithë në klub, duke filluar nga trajneri dhe drejtuesit. Ndoshta jo shpesh, por në momentin që më kërkohet një mendim, sigurisht e jap me dëshirën më të madhe ashtu si e gjykoj unë. Brdariç ka stafin e tij dhe e di më mirë se kushdo çfarë ndodh me ekipin. Patjetër që më kërkohet mendimi për lojtarët që stërvis vetë dhe që janë grumbulluar me ekipin e parë.


Prej disa muajsh ju kanë emëruar trajner të Vllaznisë U-19. Jeni i kënaqur me punën që po bëni?

Mbi të gjitha është pasion. Ndihem mirë duke stërvitur të rinjtë dhe dua t’u jap diçka nga eksperienca që kam.

Ka elementë që shumë shpejt mund të bëjnë një hap të madh?

Besoj që janë 2-3 elementë, të cilët stafi i Vllaznisë i di shumë mirë kush janë dhe nuk është etike që të përmend tani emra, pasi janë në një moshë delikate dhe mund të ndikojë jo për mirë nëse i zbuloj. Tek U-19 jam i bindur që 3 lojtarë që kam do të shpërthejnë. Ata janë të evidentuar edhe prej ekipeve Kombëtare. Ndoshta duhet pak fat, por koha do ta tregojë.