Teuta kërkon që sezonin e ardhshëm të mos përsërisë dy kampionatet e fundit, ndaj edhe po kërkon të mbajë në ekip lojtarët më të spikatur nga sezoni i shkuar.

Njëri prej tyre është edhe mbrojtësi Esin Hakaj, për të cilin madje është raportuar se ka edhe oferta nga jashtë vendit, konkretisht nga zviceranët e Lugano-s.

Gjithsesi në Durrës qartësojnë se shkodrani do të vijojë të mbetet pjesë e ekipit dhe për këtë ka bërë edhe një reagim përmes faqes zyrtare në “Facebook”.

QËDRIMI I DURRSAKËVE – “Reagim Zyrtar: Klubi i Futbollit Teuta njofton se futbollisti Esin Hakaj do të vazhdoje bashkëpunimin më KF Teuta.

Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë në median e shkruar apo vizive me një largim të mundshëm të tij në drejtim të kampionatit zviceran (Lugano) në këtë merkato, Klubi i Futbollit Teuta konfirmon se Esin Hakaj do të vazhdojë të jetë pjesë e Teutës për sezonin e ardhshëm! KF Teuta”, shkruhet në reagimin e bërë nga ana e klubit durrsak.

Për Bledi Shkëmbin ky është një lajm i mirë, pasi do të ketë në dispozicion një lojtar me vlera në ekipin e tij edhe për sezonin e ardhshëm.

Deri më tani Teuta ka afruar vetëm Edison Ndrecën nga Besëlidhja, ndërkohë që po punohet për t’u afruar edhe disa elementë të tjerë.

Florent Avdyli thuhet se ka arritur akordin me drejtuesit dhe po punohet që të konkretizohet marrëveshja edhe me mesfushorin Roni Gashi.

Të dy këta lojtarë njihen mirë nga trajneri Shkëmbi, që i ka pasur në dispozicion te Liria e Prizrenit sezonin e shkuar. /EDS/