Ish- sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Xhakomo Vrioni, duke se është shndërruar në një bomber te skuadra e re e Volfsberger, tek e cila u transferua në këtë merkato vere.
27-vjeçari ka shënuar plot 5 gola, në testet miqësore që austriakët kanë zhvilluar së fundmi. Vrioni e nisi me dopietë në miqësoren ndaj Admirës që përfundoi 8 me 2, për të vijuar po me dopietë në triumfin 6 me 1 ndaj Kapfenberger, teksa ditën e sotme gjeti sërish rrugën e rrjetës, në miqësoren ndaj Atus Velden, ku skuadra e shqiptarit fitoi 0 me 4, ndërkohë që Vrioni shënoi golin e parë në minutën e 10-të.
Vlen të theksohet fakti se 27-vjeçari u transferua në datën 1 korrik nga radhët e Çezenës drejt Volfsberger. Kjo është aventura e tij e dytë në futbollin austriak, pas asaj me Tirol në sezonin 2021-2022.


