Boksieri shkodran Nelson Hysa nuk ndalet në rrugën e tij të profesionizmit. Vetëm pak ditë pas ndeshjes së fituar në Shkodër, ai ka siguruar një tjetër ballafaqim dhe një tjetër kundërshtar me të cilin do të ndeshet në fillimin e muajit shtator.

Ndeshja është vendosur të zhvillohet më datë 9 të muajit të shtator, pikërisht në ambjentet e “Diamma Resort” në Durrës pritet me shumë interes nga bokdashësit që duan të shohin sërish në ring një nga sportistët më të mirë të Shqipërisë në dy dekadat e fundit.

Kujtojmë që Hysa deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje në boksin profesionist të cilat i ka fituar të dyja. Të parën e ka zhvilluar në Tiranë më 14 maj ndaj boshnjakut Stefan Cajiç të cilin e mundi me nokaut.

Ndërkohë e dyta u zhvillua në sheshin para Bashkisë Shkodër më 25 korrik dhe përballë tij ishte boksieri boshnjak Dragan Janjiç, ndaj të cilit Hysa u shpall me meritë fitues teksa e dominoi ndeshjen nga fillimi e deri në fund.

Karriera e boksierit shkodran në profesionizëm po shkon në mënyrën e duhur dhe shkallët e renditjes për të po ngjiten me shpejtësi. Kuptohet që ai do të kërkojë medoemos fitoren edhe në ndeshjen e tretë më 9 shtator sepse po punon fort për të triumfuar edhe ndaj kundërshtarit të rradhës.
Gjergj KOLA