Futbolli ashtu si çdo aspekt i jetës evoluon çdo ditë dhe në të janë të rëndësishëm ndryshimet. Brezat zëvendësohen për t’i lënë hapësira më të rinjve, por jo domosdoshmërisht për të pasur sukses, duhet të ndodhë ky rrotacion. Shembullin më të mirë na e jep kampionati këtë vit, pasi në trajnim ka një dominim të shkollës së vjetër. Në fundin e vitit, në 10 skuadrat që garojnë në elitë, janë 6 trajnerë që i përkasin shkollës së vjetër të trajningut, madje duke i dhënë tonin futbollit jo vetëm me rezultate, por edhe me lojën e skuadrës.

Ilir Daja me Skënderbeun po dominon në kampionat, duke lënë dhe një shije të mrekullueshme edhe me përfaqësimin në arenën europiane.

Shpëtim Duro me Flamurtarin ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, Sulejman Starova u rikthye tek Partizani për ta nxjerrë nga kriza, Ramadan Ndreu me Kamzën e tij është surpriza e këtij kampionati, ndërkohë që Hasan Lika është thërritur në apel për të shpëtuar Luftëtarin, ashtu si dhe Hysen Dedja për të nxjerrë nga balta Lushnjën.

Të 6 skuadrat që drejtohen nga trajnerët e shkollës së vjetër, kanë dhuruar futboll sulmues dhe agresiv, duke treguar se nuk duhet të jesh i ri për të qenë koherent. Ndërkohë që shkollën e re të trajnimit e përfaqësojnë 3 emra, Gugash Magani i Teutës, Ernest Gjoka i Vllaznisë dhe Gentjan Mezani i Laçit. Pikërisht vlonjati duket se është përshtatur më së miri, pasi me një skuadër të re në moshë, po bën mrekullinë duke e mbyllur vitin në vendin e 3-të dhe në garë për të qenë në zonën europiane.

“Shkolla e re” apo “shkolla e vjetër, pak rëndësi ka epiteti, pasi në fushë po shohim të aplikohet futboll modern, që është i prirur për të dhuruar emocione.supersport