Klubi historik i KF Elbasanit me histori gati 100 vjeçare nuk është regjistruar në Kategorinë e Dytë të futbollit. Kjo ngjarje që vjen pas ndarjes nga jeta të presidentit Arben Laze ka shtuar dyshimet për një shkrirje të klubit.

Pas shumë vitesh Elbasani nuk do jetë në kategori, teksa pjesë e së Dytës do jetë Akademia e Futbollit Elbasani, ekip krijuar para dy vitesh nga bashkia Elbasan.

Në lidhje me shkrirjen e ekipit kanë reaguar edhe ultrasit verdheblu. “Tigrat” tregojnë se ekipi i krijuar në 2020 nga i biri i presidentit të ndjerë Arben Laze është i pezulluar dhe jo ekipi historik.

Fakt është se ekipi historik që ka fituar 5 trofe në Shqipëri nuk është regjistruar dhe se është ekipi i njëjtë me atë të krijuar nga Laze në 2020, që mban vulën si i pezulluar nga QKR.

Duket se më shumë tifozët e kanë me humbjen e titujve të fituar dhe historinë e klubit, që këtë sezon nuk ekziston në asnjë kategori, teksa duhet të ishte pjesë e kalendarit të së Dytës./newsport/

DEKLARATE PËR SPORTDASHËSIT ELBASANAS, OPINIONIN PUBLIK DHE MEDIAT.

Pas publikimit të kalendarit 2022-2023 të Kategorisë së Dytë mediat, portalet dhe gazetat postuan një lajm ku flitej për shkrirjen e ekipit historik “ KF ELBASANI 1913 “ gjithashtu humbjen e trofeve të tij gjë që nuk është e vërtete.

Si në deklaraten e mëparshme ju informojmë se ekipi “ KF ELBASANI 1913” nuk është i shkrirë por i BLLOKUAR nga Drejtoria e Tatimeve Elbasan. Pra, Elbasani ynë historik e ka ende historinë dhe trofetë por ndodhen të bllokuara për shkak të borxheve të pashlyera dhe mos-investimit në të.

Në ekstratin e nxjerrë nga Qëndra Kombëtare e Biznesit mund të lexoni informacionet e ekipit privat ( Elbasani 1913) i themeluar më datë 24.09.2020 pra ekipi me 2 vite krijim dhe jo ekipi historik i 1913.

Pra :

Ekipi privat i (Elbasanit 1913) me vit krijimi “2020” është ekipi i shkrirë dhe jo ai i “KF ELBASANIT” 1913.

Ju lutemi të mos përhapni informacione të pasakta dhe të mos luani më me ndjenjat e një qyteti që e do sportin dhe futbollin.

Tigrat Verdheblu

21.09.2022