Shumë polemika kishte për arbitrimin në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Bylisit. Kritikat kanë vazhduar edhe nga presidenti i nderit të Bylisit, Agron Kapllanaj, i cili ishte i ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN”. Ai u shpreh se edhe vetë tifozët shkodranë e kanë pranuar në përfundim të takimit se e kanë “vjedhur” fitoren e fundit me Bylisin.

“Në sport falen të gjitha për 90 minuta, aty të mbërthejnë emocionet. Edhe unë dalë nga vetja në raste të veçanta. Ndoshta nuk ka ndodhur asgjë në Shkodër, ka qenë një pakënaqësi me arbitrin dhe ndoshta kjo ka marrë momentin e saj, për të na nxjerrë jashtë natyrës tonë.

Objektivi i Bylisit është që të jemi sa më lart në renditje, por të mos e diskutojmë fare rënien nga Superiorja. Ne kemi ekip që të mos e diskutojmë këtë gjë, ju e shihni vet.

Unë shoh që këtu ka arbitra që vendosin dorë në djersën e lojtarëve, në financat e presidentit të klubit me vendimet e tyre. Pra na vjedhin në një farë mënyre. Arbitri kundër Vllaznisë ishte tendencioz që nga fillimi dhe deri në fund. Kridens Meta e porositi dhe arbitri në fushë e ekzekutoi.

Nuk ishte për të favorizuar Vllazninë, por ishin kundër Bylisit. Madje edhe vetë shkodranët më kanë thënë pas ndeshjes, qytetarët shkodranë, që na kanë vjedhur dhe nuk e meritonin fitoren. Po kritikonin Vllazninë se luajti dobët”, tha Kapllanaj. /Sport Ekspres/