Vllaznia po vijon me përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e shtunë në ora 14:00 në Ballsh ndaj Bylisit vendas. Një sfidë shumë e vështirë dhe njëkohësisht e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve që aktualisht mban vendin e parë në renditje.

U mendua se pauza e kampionatit do të shërbente për mirë për disa prej lojtarëve që kanë patur probleme me dëmtimet duke menduar se do të arrinin të rikuperoheshin në kohë për sfidën e rradhës, por nuk ka ndodhur krejt kështu.

Jo të gjithë futbollistët duket se do të jenë të gatshëm kundër Bylisit. Shumë prej tifozëve kanë shpresuar që sulmuesi Bismark të luante këtë herë, por mesa duket edhe këtë ndeshje nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Edi Martini.

Kjo sepse ai duket se ende nuk e ka kaluar dëmtimin plotësisht, megjithatë do të pritet deri të premten për të parë konkretisht se çfarë do të ndodhë me Bismark. Nëse do të luante në Ballsh, ky do të ishte një plus i madh për kuqeblutë duke ditur rëndësinë e këtij lojtari, por edhe pa të Vllaznia sigurisht që do të kërkojë fitoren.(www.shkodrasport.com)