Kombëtarja shqiptare e futbollit ka barazuar me shifrat 1-1 ndeshjen e luajtur në Abu Dabi në terr të plotë informativ pasi ajo nuk është transmetuar dhe nuk ka pasur media në stadium që të raportojnë për të.

Në një formacion ku kishte shumë emra të kampionatit shqiptar dhe vetëm me Kastratin, Muçollin e Cikalleshin të cilët aktivizohen jashtë, kuqezinjtë janë përballur me skuadrën e Arabisë Saudite e cila në fakt ishte me forca të plota, pasi po përgatitet për pjesëmarrjen në Botëror.

Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e përfaqësueses arabe, falë një penalltie në minutën e 42-të. Në pjesën e dytë, Reja nisi menjëherë me zëvendësimet duke aktivizuar Roshin, Balajn, Skukën, Kallakun, Rrapajn dhe Mitajn, Dhe ishin pikërisht dy veteranët kuqezinj, Roshi dhe Bakaj ata që “gatuan” menjëherë golin e barazimit, me sulmuesin i cili gjeti rrjetën në minutën e 47 të duelit.

Më pas, skuadrat kryen zëvendësime të tjera e kjo bëri që ritmi i lojës të binte. Edhe pse Shqipëria kishte disa raste, nuk ia doli të shënonte, duke bërë që dueli të mbyllej me shifrat 1-1.

ARABIA SAUDITE-SHQIPËRI 1-1