Fundi i muajit shkurt dhe fillimi i muajit mars përkon me një turne ndërkombëtar që do të mbahet në Maltë, aty ku edhe Shqipëria U17 do të marrë pjesë për të provuar forcën përkrah skuadrave më të mira në Europë. Duke nisur nga data 25 shkurt e deri më 9 mars, në Maltë do të mbahet turneu ndërkombëtar për të rinjtë dhe Shqipëria U17 do të marrë pjesë.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i këtij turneu, trajneri i Shqipërisë U17, Elvin Beqiri ka dërguar ftesat te klubet përkatëse për të marrë futbollistët e nevojshëm dhe një ftesë ka mbërritur edhe te klubi i Parmës.

Sulmuesi Klajdi Lusha që aktivizohet me të rinjtë e Parmës, është lojtari i radhës që thirret në Kombëtare, duke qenë se në turneun që u mbajt pak kohë më parë në Turqi, ai nuk ishte pjesë.

Lajmi për thirrjen e tij u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Parmës, e cila njofton se sulmuesi 16-vjeçar do të jetë pjesë e kuqezinjve në këtë turne.

“Sulmuesi i Parma U16 Klajdi Lusha (Piaçenza, 13.10.2003) është thirrur nga Federata Shqiptare e Futbollit për të marrë pjesë në ” International Development Tournament U17″ në Maltë. Ai do të jetë në dispozicion të Shqipërisë prej datës 25 shkurt deri më 9 mars 2019”, shkruhej në njoftimin e klubit italian. /VipSport/