Shqipëria ka fituar me rezultatin 4-2 ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë, skuadër kjo e kualifikuar në Botërorin e ardhshëm, e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Një 90 minutësh me nota pozitive për kuqezinjtë të cilët konfirmojnë edhe njëherë tjetër momentin e mirë që ata po kalojnë.

Në fakt, ishin miqtë që kaluan të parët me anë të Al Rashdan në minutën e 27-të, por Shqipëria barazoi me një autogol të Abualnadi në të 40-tën. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-1.

Ndërkohë që në pjesën e dytë, “djemtë” e Sylvinhos treguan një tjetër fytyrë. Kombëtarja jonë përmbysi gjithçka, duke shënuar me Brojën, Hoxhën dhe Bajramin. Ndërkohë që në minutën e 90-të, Jordania shënoi me Olwan një gol që rezultoi statistikor.

Vlen të përmendet, se mbrëmjen e sotme Shqipëria ka mposhtur një ekip që është kualifikuar në Botërorin 2026. Ndërkohë që vetë kuqezinjtë, kanë shpresa të mëdha të bëjnë të njëjtën gjë, teksa presin “finalet” e muajit nëntor duke besuar ende te “play-off”.

Shqipëri 4 – 2 Jordani

(Abualnadi (aut) 40′, Broja 64′, Hoxha 75′, Bajrami 79′ / Al Rashdan 27′, Olwan 90′)