Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore në Durrës, para nisjes për në Islandë, në kuadër të ndeshjes së parë të Nations League. Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja, kuqezinjtë kanë kryer stërvitjen e rradhës, ndërkohë që të gjithë lojtarët kanë qenë në dispozicion.

Kështu, sulmuesi Armando Broja do të mungojë për ndeshjen e parë në Islandë, pasi ende nuk është rikuperuar. Futbollisti ka rezultuar negativ në testin e fundit Covid-19, të bërë një ditë më parë dhe ka nisur stërvitjen në mënyrë individuale te Chelsea.

Stafi i Kombëtares është në kontakte të vazhdueshme me klubin anglez për t’u përditësuar mbi gjendjen fizike të sulmuesit, i cili nuk mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e parë. Broja do t’i bashkohet përfaqësueses së Shqipërisë në Durrës pas kthimit nga Islanda dhe stafi teknik shpreson që ai të jetë në gjendje optimale për të luajtur në dy sfidat ndaj Izraelit dhe Estonisë.

Ndërkohë, edhe sulmuesi Myrto Uzuni ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, për shkak se vuan nga një dëmtim në kavilje dhe stafi mjekësor, pas konsultimeve ka vendosur që futbollisti të qëndrojë në Shqipëri dhe të vijojë me rikuperimin. Kështu, sulmuesi nuk do të jetë për ndeshjen e parë, ndërsa stafi teknik, me në krye trajnerin Reja, shpreson ta ketë të gatshëm për sfidën me Izraelin.

Kombëtarja e Shqipërisë do të udhëtojë paraditen e së nesërmes drejt Islandës, teksa pasdite do të zhvillojë një seancë stërvitore, ndërsa të dielën ekipi do të kryejë edhe stërvitjen zyrtare para sfidës, që luhet mbrëmjen e datës 6 qershor.

Maringlen ZHIVANI