Trukimi i ndeshjeve është kthyer përsëri në temë diskutimesh në Shqipëri si një fenomen që përsëritet e që nuk ndalet prej shumë vitesh. Një nga arsyet është edhe fakti se FSHF nuk merr asnjëherë vendime të rëndësishme për të ndalur këtë fenomen, pavarësisht se premton gjithmonë luftë ndaj tij.

Ndoshta në institucionin e futbollit duhet të marrin shembull nga Armenia, ku sot është marrë një vendim shumë i rëndësishëm në këtë aspekt, duke u nisur nga raportet që UEFA u dorëzon sistematikisht, ashtu siç bën në vendin tone.

Federata Armene e Futbollit sot ka vendosur që të anullojë përfundimisht kampionatin e Kategorisë së Parë (kategoria e dytë sipas sistemit të futbollit në Armeni). Arsyeja është numri i madh i ndeshjeve të trukuara që I raportoheshin nga ndërkombëtarët. Federata vendase nuk ka hezituar dhe duke marrë shkas nga raportet e njëpasnjëshme të kombinuara me hetimet e organeve vendase dhe autoriteteve shtetërore, i ka bënë kyçin kampionatit.

Kështu, janë përjashtuar nga kampionati për 2 vite 5 klube dhe janë dënuar 68 persona. Mes tyre janë sponssorë e president klubesh, drejtues të ndryshëm e lojtarë, të gjithë të cilësuar si protagonist e bashkëpunëtorë në një numër të madh ndeshjesh të trukuara gjatë sezonit të fundit me qëllime përfitimi nga bastet sportive.

Pjesa më e madhe e tyre janë dënuar përjetësisht nga Federata Armene, e cila ka marrë këtë vendim të paprecedent në nivele të tilla. Kampionatit i mbeteshin vetëm 5 javë për t’u mbyllur zyrtarisht e tani vendimet për ngjitjen e rënien do të jepen nga organet drejtuese të institucionit. /vipsport/