Pritej një reagim nga kombëtarja pas humbjes 1-0 përballë Izraelit, por Shqipëria zhgënjen edhe në miqësoren ndaj Luksemburgut, të cilën e humbet me rezultatin 1-0. Në një atmosferë të vakët në “Air Albania”, ku binte në sy mungesa e tifozëve, djemtë kuqezi nuk arrijnë që të evitojnë humbjen e dytë radhazi në “epokën Maran”.
Tekniku nisi ndeshjen me disa ndryshime në formacion krahasuar me sfidën ndaj Izraelit, duke hedhur në fushë që nga minuta e parë Pllanën, Bajramin dhe Uzunin.
Shqipëria nis mirë ndeshjen dhe i afrohet golit me Laçin. Por rrugën e rrjetës e gjejnë miqtë me Sinanin në minutën e 8-të. Kuqezinjtë mundohen të reagojnë, por nuk arrijnë që të rrezikojnë portën kundërshtare. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Luksemburgut. Në pjesën e dytë Maran hedh në fushë Shehun, Ajetin, Shpendin dhe Seferin, por pavarësisht përpjekjeve, goli i barazimit nuk vjen.
Tenton Asllani nga distanca, por pa gjetur kuadratin. Ndërsa Seferi nuk arrin që të mposhtë portierin mik.Mbyllet me fitoren 1-0 të Luksemburgut miqësorja në “Air Albania”. Brenda pak ditësh kombëtarja pëson humbjen e dytë dhe tekniku Maran duhet të presë edhe pak kohë, që të provojë shijen e fitores në krye të kombëtares shqiptare.


