Ndeshje dramtike në Lezhë, mes dy skuadrave me shumë histori në futbollin shqiptar që dekadën e fundit enden në Inferiore. Besëlidhja-Dinamo prodhoi shtatë gola, katër për vendasit dhe tre për blutë e Dinamos.

Një ndeshje mjaft emocionuese, bukurinë e së cilës e prishi terreni, por që trajneri Sinan Bardhi, për “Rtshsport”, pas ndeshjes e ka quajtur një fitore me karakter dhe skuadra e tij e meriton që të jetë në ekipet që do të kërkojnë elitën.

“Jam mjaft i gëzuar që më në fund ia dolëm të fitonim, sepse ka qenë një nga ndeshjet me shumë emocione që kam përjetuar unë si trajner, për vetë mënyrën se si rrodhi ndeshja. Kundërshtari na vuri në pozitë të vështirë, duke na ndëshkuar që në fillim të ndeshjes”.

“Kur shifrat shkuan në 1-3, ekipi nuk u demoralizua dhe për këtë i përgëzoj të gjitha çunat që treguan se Besëlidhja meriton të jetë në krye, bashkë me ekipet që duan elitën”.

“Skuadra u mobilizua dhe ia dolëm të barazonim rezultatin në 3-3. Çastet e fundit për ne ishin fatlume, na nxorën fitimtarë nga fusha duke përmbysur, ndërsa kemi edhe dy ndeshje ku duhet që të tregojmë të njjëëtin shpirt gare dhe deri në fund të jemi aty ku na takon”, – tha trajneri Sinan Bardhi./Vipsport/