Sfida Flamurtari-Bylis rezultoi një takim emocionues, ku fundi gëzoi miqtë. Pas më shumë se 90 minutave të luftuara në Vlorë, ekipi i Dovedan mori maksimumin në çastet e fundit, ku Malçi mund të quhet me të drejtë “heroi” i ballshiotëve.

25 minutar e lojës ishin tepër të vakta. Në minutën e 32-ë Malçi zhbllokon takimin duke krijuar idenë se ballshiotët do ta administronin shumë lehtë sfidën. Hoxhaj u kundërpërgjigj 4 minuta më vonë duke përfituar nga një gabim në mesfushë i Bylisit dhe mposhti portierin Isli Hidi.

45 minutat e dyta ishin tepër ekzaltuese. Ballshiotët fitojnë penallti në minutën e 63-ë dhe veterani Isli Hidi e mori përsipër duke mos gabuar para Moçkës.

Sërish Flamurtari u “ktheu reston” miqve, kur Murataj shkakton penallti në minutën e 77-ë. Kapiteni i Flamurtarit Andi Ribaj vendosi sërish takimin në baraspeshë.

Në mintuat e mbetura, Flamurtari tentoi të mbronte rezultatin, kurse Bylisi nuk pajtohej me barazimin. Në të vetmin moment shpërqëndrimi të vlonjatëve, Malçi vulosi fitoren e Bylisit duke marrë me vete një fitore të vuajtur dhe domethënëse, ndërsa Flamurtari merr respektin për përkushtimin në fushë, pavarësisht se tashmë s’ka asnjë objektiv për të përmbushur.

FT| FLAMURTARI-BYLIS 2-3
Hoxhaj 36′, Ribaj 77′ (p)/ 32′ Malçi 32′, 90’+7, Hidi 63′ (p)