Egnatia do të presë sot në shtëpi Dinamon, një ballafaqim mjaft delikat për vendasit, të cilët kërkojnë të ngjitin shkallët në renditje dhe kryeqytetasit shikohen si një mundësi reale, pasi shikohen si rivalë direktë për mbijetesë. Dinamovitët edhe pse mbajnë vendin e shtatë në renditje, në të njëjtën kuotë pikësh 18 me Teutën, nuk janë shumë të distancuar me të besuarit e trajnerit Zekirija Ramadani.

Në rast suksesi në këtë përballje, Egnatia do të barazohej me pikë me blutë e kryeqytetit. Për takimin e sotëm trajneri Zekirija Ramadani do të ketë në dispozicion edhe Ilirid Ademin, i cili u dëmtua në hundë në ndeshjen e Kupës me Laçin, ku edhe u largua me ambulancë nga stadiumi.

Por, lëndimi nuk ka rezultuar problematik dhe sot pritet që Ademi të jetë në fushë nga minuta e parë ndaj Dinamos. Për lojtarin me përvojë, Ndriçim Shtubina, Egnatia po kalon një moment pozitiv në lojë duke dëshmuar rritje nga ndeshja në ndeshje. Në lidhje me momentin që po kalon ekipi, për “Panorama Sport” Shtubina u shpreh:

“Kemi ardhur duke rritur besimin në lojën tonë javë pas jave. Grupi ka një harmoni të plotë dhe psikologjisht ndihemi mjaft mirë në prag të sfidës me Dinamon, që për mua mbetet një kundërshtar mjaft i fortë”.

Për 34-vjeçarin shkodran, Egnatia i ka të gjitha shanset e mundësitë që duke u treguar pak të kujdesshëm në lojë të dalë e fituar sot me Dinamon.

“Është e vërtetë që Dinamo është përforcuar në këtë merkato dimri, por mbetet një kundërshtar i vështirë. Po në anën tjetër edhe ne jemi përmirësuar mjaft në lojë duke ndryshuar siç e dini edhe mënyrën e lojës. Personalisht, por edhe të gjithë të tjerët, besojmë se i kemi kapacitetet për të dalë të fituar nga kjo përballje.

Ajo që duhet të bëjmë është të gabojmë sa më pak dhe të gjithë të tregojnë shpirt gare e luftë në çdo cep të fushës. Më vjen mirë që dhe Ademi nuk ka ndonjë dëmtim serioz dhe do jetë në fushë. Egnatia ka prodhuar futboll edhe kur është mundur, por kemi gabuar vetë duke i lejuar kundërshtarët të na ndëshkojnë.

Prandaj, e thashë më lart, se në takime të tilla mjaft decizive për pikët, gjykoj se duhet të jemi më të kujdesshëm, të qetë dhe të besojmë deri në fund të 90 minutave. Besoj se mund dhe do t’ia dalim të marrim 3 pikët që do na vlenin shumë në këtë moment të kampionatit”, përfundoi Ndriçim Shtubina për “Panorama Sport”.