Vllaznia e mbylli fazën e dytë dhe gjysmën e parë të kampionatit me një fitore në shifrat 0-1 përballë Kastriotit. Shkodranët fituan me anë të një penalltie të shndërruar në gol nga Liridon Latifi.

Një 3 pikësh që erdhi pas 4 barazimeve rradhazi dhe që dërgon shkodranët në kuotën e 30 pikëve. Tashmë vetëm 1 pikë larg Kukësit të vendit të tretë.

Por shumë larg Tiranës që kryeson me 40 pikë, plot 10 pikë e shkëputur ndaj shkodranëve. Megjithatë statistikat tregojnë në këtë gjysmë të parë të kampionatit se Tirana dhe Vllaznia janë të barabarta në sasinë e ndeshjeve të humbura. Të dy skuadrat kanë humbur nga dy ndeshje deri në këto momente në kampionat.

Vllaznia ka pësuar disfata kundër Tiranës fillimisht e më pas edhe ndaj Kukësit. Por ajo që ka ndaluar skuadrën e Brdariç janë barazimet e shumta. Kjo pasi në 18 javë kampionat shenja “X” është parë plot 9 herë. Duke qenë për momentin një rekord në kampionat. Gjithashtu 9 herë kampionët e vendit kanë edhe 7 fitore për të kompletuar edhe kuotën e tyre të 30 pikëve.

Tashmë në këtë pjesë të dytë të kampionatit të gjithë shpresojnë që Vllaznia të mbajë një ritëm fituesi. Kjo edhe për të mbyllur hendekun me kryesuesen e kampionatit që është Tirana, por edhe për të treguar vlerat dhe objektivat e mëdha që kanë shkodranët këtë edicion.
Endri ÇINARI