Kampion me Egnatian në Kategorinë e Parë në sezonin 2020- 2021. Edhe kapiten skuadre për prestigjin e lartë sportiv që posedonte. Ndërsa në sezonin e shkuar, Ndriçim Shtubina, vetëm për gjysmën e parë, ishte një lojtar që vuri sërish fort shpirtin në fushë.

Derisa gjykoi me qetësi e largpamësi, të “varte këpucët në gozhdë”. E kjo i ndodhi, jo në Shkodrën e tij të vendlindjes. Por finishi i karrierës, ashtu qe thënë. T’i vinte “çelësin” tek Egnatia. Pas kësaj nuk e mendoi për asnjë moment “rehatinë”. Përkundrazi, mirëpriti përgjegjësitë. Si një profesionist “i regjur”. Pasi kreu kursin përkatës në FSHF, u emërua drejtor i KF Egnatia.

Mision, të cilin diti ta përballonte ashtu siç duhet, me mjaft dinjitet. Aktualisht mban detyrën e trajnerit të skuadrës U-21 Egnatia. Para një ndeshjeje shumë interesante, siç pritet të jetë dueli i së dielës në mesditë në “Arena Egnatia” mes Egnatias dhe Vllaznisë, shkodrani “i natyralizuar” tashmë tek ekipi rrogozhinas, ka folur posaçërisht për “Panorama Sport”, duke iu përgjigjur si më poshtë pyetjeve të drejtuara nga gazeta…


Shtubina, të dielën Vllaznia, skuadra e vendlindjes suaj, luan përballë Egnatias së Rrogozhinës, ku ju tashmë ndiheni “i natyralizuar”. Një emocion për këtë përballje?

E parashikoj një duel shumë të fortë dhe të bukur. Ndeshen dy skuadra që luajnë futboll shumë të mirë. Sa herë që shoh Vllazninë duke luajtur, kam, pa diskutim, emocione të forta. Zemra në këto momente më thotë: “Vllaznia kampione dhe Egnatia në Europë”. Këtë ndeshje, edhe pse e di gjithkush që nuk ndodh, dua të fitojnë të dyja ekipet, që unë vërtetë i dua shumë. Të marrin nga tri pikë të dyja në fund, edhe pse uroj që të fitojë skuadra, e cila do të gabojë më pak. Qoftë kjo Egnatia, apo dhe Vllaznia.


Nisur nga pozitat aktuale në renditje, cilën skuadër shihni favorite?

E them hapur se kjo ndeshje nuk ka favoritë. Nuk do të ndikojnë aspak pozitat aktuale në renditje si për njërin ashtu për tjetrin ekip.


Si pjesë e Egnatias edhe si futbollist, edhe si drejtor, e tani në rolin e trajnerit tek U-21, çfarë vëreni se Egnatia po bën mirë në këtë sezon të tretë të saj në elitë?

I falënderoj drejtuesit e KF Egnatia dhe kam shumë respekt për të gjithë njerëzit këtu në Rrogozhinë, sepse po kaloj në mënyrë shumëplanëshe një eksperiencë fantastike edhe si ish-lojtar, edhe si ish-drejtor dhe tani në pozitën e trajnerit të skuadrës U-21. Unë jam njeri që vlerësoj gjërat e mira dhe pozitive. Kurrë nuk mbaj mëri dhe inate. Sepse kam pasur e do të kem gjithnjë motiv në jetën time, ecjen përpara. Egnatia po bën mirë pikërisht këtë gjë, po sheh të ecë, të avancojë sa më shumë përpara. Kjo meriton vërtetë vëmendje dhe respekt prej kujtdo.

Objektivi i të dyja skuadrave është që në këtë fundsezoni të sigurojnë luajtjen në Europë. Cili ekip është më afër, sipas jush?

Uroj, së pari, të ndodhë në realitet pas këtij sezoni plotësimi i objektivave që kanë skuadrat, sepse vërtetë kanë investuar shumë. E dëshiroj vërtetë shumë realizimin e synimit për të luajtur në Europë si Vllaznia që pretendon edhe për të fituar titullin kampion që i mungon prej më shumë se dy dekadash, po ashtu dhe Egnatia për të përmbushur një “ëndërr të mbetur gjatë në sirtar”.


Tek Egnatia luajnë dy shkodranë, portieri Alen Sherri dhe mbrojtësi Abdurrahman Fangaj. Si e shihni performancën e tyre?

Ata janë profesionistë. Të mësuar tashmë të mbajnë çdo lloj presioni. Tek Egnatia, në të parin sezon që aktivizohen si Sherri ashtu dhe Fangaj, them se ata janë shndërruar në lojtarë vërtetë shumë të rëndësishëm. Në dy fazat e para të këtij kampionati dallojnë dy fitore të Egnatias ndaj Vllaznisë 3-0 në Rrogozhinë dhe 1-0 në Shkodër.

A mund të ketë për Egnatian një fitore tjetër, siç thuhet ndryshe, “e treta e vërteta”?

Të dyja ndeshjet e kaluara nuk ka në të bëjnë fare me këtë përballje që është në prag. Vllaznia është rritur shumë në raport me javët e shkuara, ndërsa Egnatia vjen pas fitores shumë të çmuar ndaj Laçit, e cila ia ka rindezur fuqishëm të gjitha ambiciet.