Vendimi për ta shtyrë dy ditë ndeshjen me Ilirinë nuk duket se përbën ndonjë problem për Vllazninë. Thjesht i ka prishur disi planin stërvitor stafit teknik dhe kaq. Objektivi nuk do të ndryshojë dhe ai do të jetë sërish vetëm fitorja.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar në një prononcim për mediat edhe vetë trajneri Hasan Lika kur është shprehur. “Ndeshja me Ilirinë është e fortë.

Kjo skuadër pavarësisht se humbi në takimin e fundit me Besëlidhjen, në ndeshjete e fundit ka arritur rezultate pozitive sepse ka fituar në Burrel, ka barazuar me Dinamon, prandaj jemi të ndërgjegjshëm se na pret një ndeshje e fortë në Fushë- Krujë.

Por gjithsesi, ne do të kërkojmë të japim maksimumin, të dalim me një rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e fundit të kësaj faze”- ka thënë Lika.

Skuadra e Ilirisë sidomos në fushën e vet vërtetë ka treguar se është një kundërshtar shumë i fortë për të gjithë ekipet dhe këtë gjë do të kërkojë të tregojë edhe ndaj Vllaznisë.

Për më tepër që tashmë çdo kundërshtar ka një dëshirë të madhe për të marrë flamurin si skuadra që ka mundur kuqeblutë të cilët deri më tani ende nuk e kanë provuar shijen e humbjes.

Në këtë aspekt, skuadra shkodrane do të jetë e detyruar që ta përgatisë siç duhet këtë ndeshje në mënyrë që pastaj të ketë paksa frymëmarrje sepse siç dihet, pas përfundimit të kësaj jave, kampionati do të ndërpritet për disa ditë për shkak te ndeshjeve te kombetares tone.
© shkodrasport.com