Mbrëmja e 10 korrikut e vitit 2016 ka hyrë në historinë e Portugalisë, pasi kombëtarja e futbollit luzitane fitoi kampionatin evropian, duke fituar 1-0 në kohën shtesë ndaj organizatorëve të Francës.

Autori i golit ishte Eder, i cili shënoi në minutën e 109-të, duke shkruar emrin e tij në librat e historisë portugeze.

Pikërisht sulmuesi Eder, është bërë protagonist një natë më parë, teksa në ndeshjen mes Portos dhe Lokomotivës së Moskës, në minutën e 71-të doli nga loja për t’i lënë vendin Fedor Smolov.

Në momentin që 30-vjeçari po dilte nga fusha, është duartrokitur nga i gjithë stadiumi “Dragao”, në shenjë mirënjohje.

Një gjest me të vërtetë fantastik nga tifozët e Portos, të cilët e vlerësojnë atë që Eder bëri për kombëtaren portugeze finalen e 10 korrikut.

Për sa i përket ndeshjes, Porto triumfoi thellë me shifrat 4-1 ndaj rusëve, të cilët mbajnë vendin e fundit në grup pa marrë asnjë pikë./sport-ekspres/