✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Leon Pohls zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në javën e fundit kundër Dinamos, me portierin gjerman që ishte vendimtar në suksesin e Vllaznisë në shifrat 1-0 ndaj bluve. Ku ishte pikërisht ish-gardiani i Shamrok Rovers që me 3-4 ndërhyrje të sakta mbajti të paprekur katërkëndorin e tij në duelet me futbollistë si Bregu, Berisha apo edhe Guindo.
Në këtë mënyrë 28-vjeçari largoi çdo hije dyshimi që ekzistonte rreth tij. Kjo për shkak të një performance jo edhe aq pozitive në barazimin 2-2 ndaj Egnatias. Ku gjermani u konsiderua me “faj” në golin e parë të shënuar nga rrogozhinasit. Megjithatë numri një i shkodranëve ka bërë menjëherë “autokritikë” duke treguar vlerat e tij në një duel shumë delikat siç ishte ai ndaj Dinamos.
Vlera dhe cilësi për të cilat u afrua në gjirin e skuadrës shkodrane, me stafin teknik që kishte besim të palëkundur tek gardiani. E tashmë edhe pas kthimit të Jukajt nga dëmtimi, ku shkodrani ishte titullar në fillimin e sezonit, pozitat e Pohls në katërkëndorin e shkodranëve nuk janë lëkundur. Me portën e Vllaznisë që duket se tashmë ka konkurrencë që ndihmon edhe në rritjen e nivelit.
Ku si Pohls edhe Jukaj garantojnë cilësi dhe siguri mes shtyllave e me stafin teknik që duken të kënaqur momentalisht nga të dy portierët. E patjetër me titullarin që mund të ndryshojë në javët e ardhshme, bazuar në formën që do tregojë secili prej gardianëve kuqeblu.


