
Tre boksierë të Vllaznisë kanë zënë vende të para dhe janë nderuar me medalje ari në turneun ndërkombëtar të Sarajevës që ka përfunduar sot. Ata kanë triumfuar ndaj kundërshtarëve të tyre duke dalë fitues në peshat respektive. Ndërsa boksieri tjetër pjesmarrës në këtë aktivitet, Ronildo Piranej ka zënë vendin e dytë sepse ka humbur në finale. Megjithatë tre vendet e para të marra nga sportistët e tjerë, sigurisht që është një sukses i madh sepse ka qenë një turne ku kanë marrë pjesë boksierë nga Bosnja, Sllovenia, Maqedonia, Kosova etj. Në fakt për Shytanin shorti ka qenë disi më i favorshëm sepse ka kaluar menjëherë në finale ku është ndeshur me një boksier boshnjak të cilin e ka mundur pastër dhe në këtë mënyrë ka zënë vendin e parë në peshën 64 kg. Syrjan Marinaj ndërkohë në gjysmëfinale ka fituar ndaj një boksieri slloven ndërsa në finale është ndeshur me një bosnjak ndaj të cilit ka fituar duke zënë vendin e parë në peshën 81 kg. Në peshën super të rëndë, Nelso Hysa ka mundur në gjysmëfinale një slloven ndërsa në finalen e zhvilluar mesditën e sotme ka mundur një boksier nga Maqedonia duke zënë edhe ai vendin e parë në këtë peshë. Ronildo Piranej ndërkohë ka humbur në finale ndaj një boksieri kosovar kur në gjysmëfinale ka mundur një slloven. Në këtë mënyrë është mbyllur turneu ndërkombëtar i Bosnjës, zhvilluar të shtunën dhe të dielën, shoqëruar me tre vende të para, për rrjedhojë edhe tre medalje ari për tre boksierë të Vllaznisë. Një tjetër sukses ky për ta duke treguar edhe njëherë se në konkurrimet e tyre në Rajon, gjithnjë janë të suksesshëm.
www.shkodrasport.com