Te lojtarët e Vllaznisë është shtuar besimi tek arritja e rezultateve pozitive. Ndriçim Shtubina, i cili ka qenë një nga më të mirët në përballjen e fundit me Laçin, është tejet optimist se ekipi i tij i ka të gjithë mundësitë për të përballuar me sukses edhe sfidën e së enjtes me korçarët. Për mesfushorin shkodran, fitorja me Laçin tregon edhe njëherë se Vllaznia po rritet nga takimi në takim. Këtë e ka dëshmuar edhe në përballjen e fundit, pasi paraqitja e kuqebluve është vlerësuar maksimalisht nga të gjithë lojtarët. “Ishte një fitore të cilën e merituam. Ishte një takim i vështirë që duhej kaluar me sukses dhe mendoj se e realizuam më së miri objektivin.

Mund të mos ishte loja jonë më e mirë, por mund të them se kemi zhvilluar një lojë racionale dhe kemi treguar vlerat e një skuadre të mirë. Laçi ka qenë përherë një kockë e fortë për ne në Shkodër, ndaj edhe e them me bindje se nuk ishte një fitore e lehtë. Tri pikët e këtij takimi janë një premisë e mirë për takimin e ardhshëm me Skënderbeun. Më vjen mirë që tani skuadra sa vjen e konsolidohet dhe tregon vlerat më të mira që ka. Më vjen mirë gjithashtu që po justifikojmë edhe besimin e tifozëve tanë, të cilët po na mbështetin nga takimi në takim të shumtë në numër”, – thotë Shtubina për “Panorama Sport”.
Skënderbeu Vllaznia të mërkurën ka përballë tri herë me radhë kampionin e vendit, Skënderbeun. Një takim i vështirë për kuqeblutë, por jo i pakalueshëm prej tyre. Për mesfushorin nuk ka asgjë të paarritshme nëse të gjithë lojtarët do të tregojnë dëshirën që kanë treguar deri më tani. “Është një përballje e vështirë me Skënderbeun. Për më tepër është një përballje shumë e shpejtë pas asaj që zhvilluam me Laçin, por kjo nuk do të thotë që ekipi të mos arrijë të tregojë më të mirën e vet. Një përballje e tillë është pritur përherë me interes në Shkodër. Ne shpresojmë që të mund të paraqesim më të mirën tonë, sepse nuk ka skuadër të pakalueshme”, – vijon mesfushori.
Objektivat Ndryshe nga sezonet e shkuara, këtë vit drejtuesit e klubit dhe ata të stafit teknik, por edhe vetë skuadra, asnjëherë nuk kanë thënë se Vllaznia do të jetë për titull. “Fakti që nuk jemi të ngarkuar psikologjikisht për të qenë kampion ka ndikimi pozitiv te kjo skuadër. Ne duhet të vazhdojmë të jemi me këmbë në tokë. Nuk kemi bërë asgjë për të thënë se tani objektivat tanë janë për në majën e futbollit shqiptar. Hap pas hapi oreksi mund të na shtohet, por ne duhet të shikojmë vetëm takimin e radhës dhe jo atë se çfarë mund të ngjasë në fund të sezonit. Objektivi ynë tani është vetëm takimi i radhës”, – përfundon deklarimin e tij mesfushori shkodran.
Admir URUÇI